![]() |
| Partia e Fortë, fituesi moral i këtyre zgjedhjeve |
Pastaj, nga një "përcjellës aktiv" i partisë, kalova në "nivelin" e kontribuesit - kur hapa faqen - Thënie të kryetarit Lexhendar Visar Arifaj - e ku u aktivizova pastaj shumë, sidomos në fushatë, kur edhe numri i pëlqimeve (likeve) shtohej në mënyrë marramendëse.
Gjithë këtë e bëra pasi që, në një parti të tillë, me një mision me të vërtetë hyjnor - ngritjen e vetëdijes politike tek popullata, por edhe tek politikanët - e gjeta shumë mirë veten. Megjithatë, një nismë e tillë kishte një risk mjaft të madh. Askush nuk mund të parashikonte (as vet themeluesit) cakun që kjo parti do të arrinte, përkrahjen që do të gjente, e mbi të gjitha - reagimin e popullit.
Ditët e para ishin jo aq të lehta, pasi që të gjithë e keqkuptonin gjithë esencën e partisë, e hidhnin fjalë nga më të rëndat drejt gjithë atyre që mirrnin pjesë aty. Shumëkush, shumë lehtë mund të ndalej në atë fazë, po jo edhe udhëheqësit e PF. Kjo, në fund u shpërblye me faktin se - populli e kuptoi shumë mirë mesazhin që PF po mundohej të përcillte, që ishte edhe caku kryesor i partisë për këto zgjedhje.
Në fakt, do të doja që më poshtë të rendisja disa nga arritjet më të mëdha të PF-së në këtë periudhë kohore, kur edhe u mbajtën zgjedhjet që cilësohen si më "interesantet" në histori të Kosovës, pikërisht për faktin e ekzistimit të PF-së dhe Kryetarit Lexhendar në këtë fushatë.
Vetëdijësimi i popullit (në masë të madhe) dhe i një pjese të madhe të politikanëve (deri diku)
![]() |
| "Prishtina Grand Prix" - premtimi më i "shtrenjtë" i PF-së |
Nëse para ekzistimit të PF-së premtimet "megalomane" të politikanëve na dukeshin tashmë "normale" dhe deri diku "të kapshme" për veshin tonë (kryesisht për faktin se jemi mësuar të dëgjojmë gjëra të njejta për mëse 14 vite rresht), pas daljes së PF në skenë, politikanët shiheshin me një sy krejtësisht ndryshe nga qytetarët e Kosovës. Një shembull i thjeshtë - pasi sheshi "Zahir Pajaziti" u përurua nga Partia e Fortë para Isa Mustafës (pasi që sigurisht, inaugurimi i shesheve lihet për fushatën e zgjedhjeve), përurimi i sheshit "Ibrahim Rugova" e humbi efektin që eventualisht do të mund ta kishte për fushatë.
Njëfarë ngritje e madhe e vetëdijës karshi premtimeve të politikanëve, duke i dëgjuar ata me më shumë vëmendje, e duke reaguar në masë të madhe nëse bëheshin premtime që me një logjikë të thjeshtë dihet se janë të parealizueshme, padyshim se ka ndodhur "për faj" të PF-së.
E kjo gjë, "detyrimisht", në një masë (edhe pse jo akoma të madhe pasi që ka akoma politikanë që mendojnë se premtimet e parealizueshme akoma "pinë ujë" tek qytetarët) e ka ritur vetëdijen dhe kujdesin tek politikanët, të cilët këtë herë (ndoshta) më shumë se kurrë mendoheshin paaaak më shumë para se të premtonin diçka. Ndryshe, bëheshin subjekt i talljes - nga populli.
Është rritur interesimi për zgjedhjet/politikën nga populli
Edhe ky ishte një mision mjaft i rëndësishëm i PF-së. Nëse e keni përcjellur me kujdes në emisione, debate e intervista Kryetarin Lexhendar, keni mundur ta vëreni se si gjithmonë thoshte "populli duhet të qëndrojë sa më larg politikës, e të mirret me të 1 herë në 4 vjet, kur janë zgjedhjet".Kjo gjë po ndodh me popullin (sidomos rininë) tonë tash e sa vite. Popullata është mjaft pasive sa i përket politikës, gjë që ka sjellur një komoditet të vërtetë të atyre që bëjnë politikën, duke vepruar si i ka qejfi me çështje të shumta, e duke mos e involvuar direkt asesi popullatën që nuk është e involvuar direkt me politikën.
Përndryshe, në këto zgjedhje interesimi për debate, emisione e intervista ka qenë ndoshta ndër më të mëdhenjtë ndonjëherë, pikërisht për shkak se qytetarët e Kosovës dëshironin të dëgjonin se si Kryetari Lexhendar po fliste, vepronte, punonte etj. krahas "kundërshtarëve" të tij politik (që ai i nuk preferon të i thërras "kundërshtar", pasi që të gjithë kanë qëllim të njejtë - pushtetin).
Ky interesim për Kryetarin, në njëfarë mënyre a tjetrën i ka involvuar më shumë qytetarët në debate, e në fushatë në përgjithësi, gjë që "detyrimisht" i ka bërë ata që të i dëgjojnë politikanët "serioz" e të mund të mendojnë më pas për ofertën e tyre, trajtimin që i bëjnë qytetarëve etj. Imagjinoni interesimin që qytetarët do ta kenë për asamblenë komunale, diskutimet publike (që eventualisht do të mund të organizoheshin), e të tilla gjëra pas depërtimit të Kryetarit Lexhendar në institucionet komunale.
Paraqitje të mirë në shtypin ndërkombëtar
![]() |
| Kryetari Lexhendar Visar Arifaj në një intervistë për një media Holandeze me "Skype" |
Por, paraqitja dhe mesazhi i përcjellur ka qenë aq i mirë sa që për PF kanë shkruar media të shkruara, televizive, portale - nga Kosova, Shqipëria, gjithë ballkani (përfshirë Sërbinë), Europa - e deri në Australi.
Kronika, intervista, emisione, minutazh lajmesh e shumë e shumë hapsira tjera ka fituar PF dhe Kryetari Lexhendar në gjithë këto media. Të gjitha e vlersonin lartë punën e bërë nga një parti që tashmë po mundohej që në një mënyrë unike të ndryshonte gjendjen e njërit nga vendeve më të varfëra, e me shkallë më të lartë të korrupsionit e krimit të organizuar në Europë.
Mes tjerash, kjo ia ka hequr deri diku edhe "hijen e keqe" këtyre zgjedhjeve - ngjarjet në pjesën veriore të vendit.
Vendi në Asamblenë Komunale (ose dy vende)
Sigurisht, një gjë mjaft e rëndësishme do të jetë fakti se PF, përkatësisht Kryetari Lexhendar tashmë e ka siguruar një vend në asamble komunale. Në fakt, rezultatet përfundimtare akoma nuk janë shpallur përfundimisht, andaj me kalkulime ekziston mundësia që edhe një nga nënkryetarët/nënkryetaret e PF-së që ishin kandidat për asamblenë komunale të "i bëjë shoqëri" Kryetarit Lexhendar.Me marrjen e ulëses në institucionin e Asamblesë, PF sigurisht se do të mund të e vazhdojë në kushte edhe më të mira misionin e saj - uljen e "komoditetit" të politikanëve karshi popullatës në njërën anë, dhe rritjen e interesimit të popullatës në politikbërje në anën tjetër.
Padyshim se përfaqësuesi i vërtetë i popullit në atë asamble komunale do të jetë Kryetari Lexhendar dhe, eventualisht, përcjellësi/ja i/e tij.



No comments:
Post a Comment