Thursday, December 19, 2013

"Emri i medias" zgjedh personalitetin e vitit 2013

Çmimi për personalitetin e vitit 2013
Ashtu siç edhe është traditë, unë duhet të them se është traditë që media jonë do të shpalli personalitetin e vitit 2013.

Në këtë listë janë personalitete të shquara (ose që kanë kryer ndonjë punë për mua, por aq të vogël sa nuk do ta vëreni fare), që kanë bërë diçka (edhe nëse vetëm merr frymë) për Kosovën.

Asnjëanshmëria është në nivel, dhe dihet fare mirë që sondazhet online nuk janë të manipulueshme, andaj mundësitë që ky sondazh të jetë i manipuluar apo i kurdisur janë 0.

Dihet se çmimet që shpërndahen zakonisht janë kupa me vlerë të patates, andaj ne nuk deshëm që të i komplikojmë gjërat dhe për fituesin do ndajmë direkt një patate.

Qika e Dajës
Shpesh kur kam shkuar te daja, qika e dajës ishte aty për mua. Kemi shikuar filma, kemi luajtur kur ishim të vegjël, kemi bërë gjëra shumë interesante. Pastaj, dyshoj se daja do e hante pulën për mua nëse nuk do e përfshija atë në listë, andaj s'është se kam zgjidhje tjetër.

Djali i axhës
Vet emri më lartë tregon për atë se çfarë ai ka bërë për vendin dhe mua personalisht. Kuptohet se një njeri i rëndësishëm si ai nuk mund të mungonte në këtë listë.

Vëllau
Kultivues i rregullt i thënies "nëse nuk e bën për vëllaun, për kë do e bësh". Jetojmë në një shtëpi, na ka bërë një nënë. Thjesht nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Cilësohet si pretendenti më kryesor për ta fituar titullin.

Një djal i dajës i shokut
Kur kisha nevojë shumë për një punë, një shok tha se e kishte një djal të dajës që mund të ma përfundonte. Sot, mendoj se është momenti perfekt për të e shpaguar disi, andaj.. Votojeni djalin e dajës së shokut :D.

Shoku i fillores
Ky personalitet i rëndësishëm nuk është se ka bërë ndonjë gjë të veçantë, po vet fakti se momentet më të bukura të fëmijërisë i kam kaluar me të, duke pasur një impakt të rëndësishëm në jetën time, ndikon që automatikisht ai të jetë pjesë e listës.

Zyrtari i Komunës
Ky kish qëllu shok i ni shoku të ngushtë të djalit të tezës, e kishim pasë nejtë me ni neje familjare të këtij të fundit bashkë. Kur shkova me e nxjerr letërnjoftimit, edhe pse nuk isha në rend, ai më pa prej largu, më njofti dhe më futi brenda. Ky gjest fisnik padyshim se e bën edhe këtë si një prej kandidatëve serioz për të fituar çmimin.

Profesori
Ma dha ni 6she në momentet e fundit kur kisha nevojë më së shumti. Fal tij unë e përfundova fakultetitn dhe jam ky që jam sot - udhëheqi njërin nga portalet më të mëdhaja Shqiptare dhe kam bërë emër gjithandej. Mendoj se për atë notë nuk mjafton vetëm dreka, dhurata, rakia e shpisë dhe disa detaje tjera të vogla, por duhet edhe ky kandidim për personalitetin e vitit, në mënyrë që ai të shpaguhet sa më mirë.

Djali i Hasanit
Hasanin e kemi legjendë. Përnime, sa herë kemi pas nevojë dilke në mahallë edhe na bojke krejt me keshë. Atmosfera u bojke interesante edhe gjallnia mbizotërojke. Sot, ai fatkeqësisht nuk jeton më, po djali i tij po. 

Komshiu
I fundit, por jo më pak i rëndësishmi - komshiu. Ky personalitet i shquar ndër shekuj, që të gjindet afër kurdo që të kesh nevojë, të përgojon, përjetoni intriga bashkarisht, qan me ty, qesh, të qesh, feston, të hidhërohet, gëzohet, por prap në fund tek ti kthehet. Për gjithë këto padyshim se duhet ta vendosja në listë. Edhe nëse nuk do të ishte në listë, garant do i vinte inat, duke shpërndarë fjalë dashakeqe për mua, të cilat momentalisht nuk më duhen.

Kjo ishte lista të nderuar lexues të "emri i medias". Ju sigurojmë edhe njëherë se lista nuk është aspak e manipulueshme dhe redaksia personalisht apo ndonjë kandidat potencial nuk do të ketë as edhe një mundësi të vetme që të ketë ndikim në të. Votoni votoni votoni.
surveys & polls

No comments:

Post a Comment