Sunday, April 17, 2016

Blogun tash e gjeni në dizajn të ri

Për ta vizituar blogun nga tash e tutje, duhet të drejtoheni në www.dardanhasku.com. Ky blog po mbahet i hapur për ta parë dizajnin e vjetër dhe për ta shfrytëzuar arkivën. Ju faleminderit!

Saturday, April 16, 2016

A muni me besu sa i ka kushtu Aston Villës ndryshimi i simbolit?

Në të majtë është simboli i vjetër, e në të djathtë i riu

Tung miq. Tash e 2 vite nuk jam aktiv në blogun tim. Në vitet 2013-14 kam shkru mjaft shumë, kurse në vitin 2015 e kam publiku veç një shkrim.

Pastaj, domaini (dardanhasku.com) më skadoi e ta them të vërtetën as që më shkoi mendja me ri-ble.

Krejt rastësisht, para dy ditësh, më ra në mend blogu dhe e pashë që domaini skadoi, andaj e bleva. 

Tash, nostalgjia për entuziazmin që dikur e kisha për me shkru në këtë blog më inspiroi me bo këtë shkrim e me provu me u rikthy me shkrime të kohë-pas-kohshme.

Eh, shkrimi i parë në vitin 2016 si duket do të jetë për një lajm shumë interesant që e lexova.

Klubi i Aston Villës nga Anglia, që sot edhe zyrtarisht e siguroi rënien nga Premierliga, së fundmi ka vendosë me ndryshu simbolin e klubit.

Në fakt, për dikë që nuk është ndonjë fans i madh i klubit, ky ndryshim nuk do të ishte i vërejtshëm.

Lajmërimi i klubit për simbolin e ri
Ajo që klubi ka ndryshuar është se e ka larguar fjalën "Prepared" që ishte gjithmonë pjesë e simbolit dhe e ka "forcu" luanin.

Deri diku, gjithçka duket normale dhe në rregull.

Por, ajo që e bën të veçantë këtë ndryshim është se klubit i ka kushtuar plotë 80,000 funte!

Po, po - 80,000 funte (rreth 100,000 euro).

Mediat në Angli, fillimisht kishin raportuar se ky ndryshim ka kushtuar 2 milionë funte (rreth 2.5 milionë euro - paramendoni!), gjë që e ka detyruar klubin e Villës që të dalë me një deklaratë, ku mohon këto lajme, duke treguar se ka paguar vetëm 80,000 funte për këtë ndryshim, e jo 2 milionë, siç raportohej.

Ky rast dëshmon se puna e dizajnerit paguhet mirë dhe se ndryshimet e tilla, sado të vogla që janë, kërkojnë angazhim të madh të tyre, sepse në fund, detajet janë ato që të harxhojnë më së shumti kohë dhe energji.

Megjithatë, kur i krahasojmë të dyja ikonat, duket se nuk është bërë ndonjë punë edhe aq e madhe për të harxhuar aq shumë para. Ky rast kishte ngjallur edhe reagime të tifozëve, që e kanë kritikuar klubin për këtë hap të ndërmarrë. 

Ju si mendoni, a ia ka vlejtur që të paguhen 80,000 funte për këtë ndryshim? Shprehni mendimin tuaj në koment dhe këtë sondazh.

Sunday, January 18, 2015

“Hajt se këta egërsirat e harrojnë”

Seç e kam një bindje shumë të fortë se, në prapaskena, politikuajt që për momentin janë në varësi të plotë nga faktori politik serb, janë duke e etiketuar popullatën e tyre ashtu siç Jabllanoviq i ka quajtur para disa dite, egërsira.

“Shef (një shef i rëndomtë, sepse numri i tyre është shumë i madh), situata po nxehet. Qysh po ia bojmë?”
“Taktikë e njëjtë si gjithmonë bre. Presim.  Dikur mediat lodhen, edhe qata popull që jon tu lu dal me protestu, lodhen dikur. Edhe egërsirat e harrojnë”.
(Pason qeshje kolektive).

Pafytyrësia e liderëve politikë kosovarë, që është e pashoq, shkon aq larg, sa nuk do të befasohesha nëse kjo bisedë më lartë do të dilte të ishte e vërtetë, fjalë për fjalë.

Na trajtojnë si të paditur, me epitete nga më të ndryshmet.

Jabllanoviq nuk është fare më ndryshe se politikuajtë që tash e 16 vite janë pjesë e një sistemi që gjithmonë ka fyer e keqtrajtuar popullatën kosovare.

Shumë nga ju, besoj se e keni akoma memorien e freskët, kur asokohe kryeministri i vendit e quajti një pjesë të popullit që ai përfaqëson “zagarë”.

Besoj se ky shembull është inspirues për Jabllanoviqin dhe serbët, ashtu siç është “inspirues” edhe Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, sa herë që pyeten se pse nuk i respektojnë simbolet shtetërore.

E kjo “rutinë” e liderëve politikë kosovarë, që gjithmonë presin që një temë dikur të “harxhohet” në media dhe populli do ta harrojë, kësaj radhe nuk duket se do të ketë sukses.

Protestat dhe vëmendja e medias nuk po pakësohet, përkundrazi çdo ditë po zgjerohet edhe më shumë.

Nëse udhëheqësit e vendit tonë janë në gjendje që të luajnë me durimin e qytetarëve në këtë rast, siç kanë luajtur edhe në të kaluarën, i sfidoj ta bëjnë këtë gjë.

Fjalët e tyre se “serbët po integrohen”, koalicioni me Listën Serbe është “njohje e Kosovës” e të ngjashme, nuk besohen as nga vet ata.

Ose, fjalët e përfaqësueseve të Listës Serbe nëpër paraqitje publike, ku thonë se qëllimi i tyre i vetëm është që të integrohen dhe të ruajnë përfaqësimin e tyre në Kosovë, janë edhe më qesharake e ofenduese për inteligjencën e popullit.

Mirëpo, nëse rastësisht ka pasur njerëz që kanë qenë aq naiv sa që të besojnë diçka të tillë nga këto që thash më lartë, u bindën shumë me rastin e Trepçës dhe udhëtimin urgjent të ministrave serb në Beograd, ose edhe ma vizitën e fundit të Vuçiqit në Kosovë.

Është koha që populli ynë të mos durojë më fyerje të tilla nga politikuajtë kosovarë, të mos ndalet deri në trajtimin e drejtë nga ta dhe të kërkojë që përgjegjësia e tyre karshi qytetarëve të jetë as më pak e as më shumë se sa i takon një populli normal – njerëzore dhe e drejtë.  

Thursday, June 26, 2014

Si të bëni kampanjë të fuqishme zgjedhore online, për vetëm 5 dollarë

Përshëndetje miq të mi dhe ju vizitorë të rastësishëm të blogut tim personal. Për informatë hyrëse për këtë shkrim të radhës në blogun tim personal, duhet ta dini se në zgjedhjet e fundit parlamentare isha kandidat për deputet nga radhët e Partisë së Fortë.

Në këto zgjedhje, arrita të fitoj 54 vota, shumë larg pritshmërive (për të mirë), pasi që isha futur në zgjedhje thjesht për të vazhduar përkrahjen time mbi idenë në të cilën funksiononte Partia e Fortë. Pra, votat ishin absolutisht në plan të fundit.

"Fushata" ime ishte e fokusuar në rrjetet sociale, dilja kohë pas kohe dhe bëja foto ose ide të rastit, me anë të të cilave thumboja politikanët e Kosovës në përgjithësi, për shkak se isha shumë i irrituar me fushatën që bënin ata. Mund të them se mënyra se si u prit fushata nga njerëzit e afërm ishte shumë më mirë se pritshmëritë e mia për këtë gjë.

Gjithsesi, gjëja që dua të veçoj nga kjo fushatë është se arrita që të marr vëmendje të gjërë të shumë portaleve dhe mediave online, krahasuar me shumën modeste që pagova, 5 dollarë (momentalisht rreth 3.7 euro), që ishte edhe buxheti im zgjedhor.

Për 5$ "fitova" më shumë shkrime dhe vëmendje nga mediat online (ndoshta) më shumë se politikanë të shumtë që paguanin shuma të mëdha që të merrnin ndonjë shkrim për fushatën që ata bënin.

E, si e arrita një gjë të tillë?

Së pari, po ua listoj gjërat që mu nevojitën për një gjë të tillë:
  • Credit Card me minimum 5$ në të (që të kryhej pagesa për shërbimin);
  • Miq të shumtë në Facebook, që të fitoja vëmendjen e duhur nga ndonjë media eventuale.

Kaq thjeshtë? Epo, kaq. Nuk më është dashur asgjë më shumë.

Pasi u sigurova se i kisha në dispozicion gjërat e kërkuara më lart, krijova një përdorues në Fiverr. Shpjegim i shkurtër: Fiverr është një faqe ku njerëz kryejnë shërbime të shumta për 5 dollarë. Për shpjegim më të hollësishëm, e kam një shkrim në blogun tim: Sa gjëra të mrekullueshme bëjnë njerëzit.. për 5 dollarë!

Kështu, hyra në faqe dhe kërkova për njerëz që do të bënin video qesharake për këtë çmim. Duke kërkuar e gjeta Ishanin!

Ishan është një i ri nga Sri Lanka, i cili për 5 dollarë do të bënte një shkrim në trupin e tij (çfarëdo që ju kërkoni) dhe do vallëzonte me të për 31 sekonda. E mrekullueshme, apo jo? Eh, kështu mendova edhe unë.

E bëra porosinë dhe e prita me padurim. Në udhëzimet e porosisë tregohej se ai e kryen shërbimin për dy ditë.

Edhe pse e bëri më vonesë dërgesën, mbeta abolutisht i kënaqur me kryerjen e shërbimit. E shkarkova videon dhe e postova në Facebook.
Menjëherë pas postimit të videos filluan pëlqimet dhe komentet e shumta, dhe këto më tregonin se videoja ka shumë gjasë se do shihet nga ndonjë media online, sepse të tilla gjëra tërheqin klikime edhe për ato.

Dhe, kështu ndodhi! Media e parë që e pa postimin pasi u përhap ishte reporteri, media e cila edhe e bëri para shkrimin, dhe e titulloi "Mbështetje interesante për Partinë e Fortë, nga Sri Lanka - VIDEO", me videon e ngarkuar në youtube.

Menjëherë pas reporterit, artikulli u shpërnda në mediat gjithandej. Zeri, Telegrafi, Gazeta Express, dhe shumë media tjera e morrën këtë shkrim duke e bërë një lajm të bujshëm, duke më sjellur emër ndër "simpatizantët" dhe mbështetësit e Partisë së Fortë.

E gjithë kjo, për vetëm 5 dollarë!

Përndryshe, ky ishte kulmi i "fushatës" sime, duke e kompletuar atë dhe duke më dhënë bindje se bëra mirë që hyra në këtë fushatë.

Jo gjithmonë paraja mund të ketë efektin e saj, nëse ideja nuk është si duhet, andaj ata që aspirojnë që në të ardhmen të mirren me politikë, i propozoj që në vend të shumave të mëdha, të harxhojnë pak mjete financiare e të mendojnë më shumë për ide kreative, pasi që në mediat online dhe në rrjetet sociale ka shumë hapësirë për të depërtuar me investime të vogla, deri sa keni ide të mëdha!

Suksese.

Wednesday, April 30, 2014

Çka është forja e Facebookut?

Veç ni ilustrim, po shumë relevant.
Ka kohë që nuk m'ka ra puna me shkru n'këtë blog. Si shkak kryesor (si gjithmonë), po dalin angazhimet e shumta, t'cilat nuk ma kanë mundësu me shfrytëzu mundësinë me u shpreh.

Nejse, ma n'fund më erdh mundësia edhe inspirimi që me shkru, bile për ni temë jo pak relevante kohëve të fundit. Fjala është për ankesat e panumërta që shumë pronar të fanpageve po i kanë për shkak se reach organik i Facebook po bjen vazhdimisht.

Pra, tu e marrë parasysh që po ka shumë ankesa nga njerëzit se postimet e tyre nuk po shihen shumë, ose në News Feed të tyre nuk po shfaqen shumë postime, mendova me nda pak nga eksperienca ime në lidhje me këtë çështje.

Është fakt që reachi po bjen vazhdimisht, edhe nuk isha çudit nëse kish me vazhdu ky trend. Kjo për faktin se Facebook po mundohet që vazhdimisht me e rregullu algoritmin në atë formë që me u mundu me filtru sa ma shumë përmbajtjen që i shfaqet përdoruesit, tu e largu përmbajtjen që nuk i intereson, e në të njejtën kohë me përfitu për vete, duke i detyru faqet që me pagu për me u shfaq tek personat e ndryshëm.

Shumë përdorues po ankohen. Ata po e kërkojnë të drejtën (me të drejtë) që me vendosë vet çka i shfaqet e çka jo. Gjithmonë ka ni arsye pse e pëlqejmë ndonjë faqe, ose e shtojmë ndokë si shok në rrjetin më të madh social në botë, aktualisht. Përdoruesit është mirë me vendos vet se çka i shfaqet e çka jo, pasi edhe për këtë i janë ofruar opsione të shumta.

Por, (feeling si Hashim Thaçi) nëse Facebook kish me leju një gjë të tillë, hapsirat për me përfitu materialisht, ishin ngushtu jo pak. Sot shuma jo të vogla parash po paguhen nga bizneset, politikanët, klubet, shoqatat (etj etj etj) për promovime personale e biznesore. Andaj, Facebook duhet me determinu vet se çka të shfaqet e çka jo, duke u mundu me thënë se "une e di se çka është më mirë për ty".

Mirë, po çka është forja? Qysh me marrë sa ma shumë reach organik?

Tash është fakt se vështirë është me depërtu. Shumë vështirë. Hidhni ni vështrim faqeve të mëdha, ose shqiptare, ose të huaja, që dikur mirrnin pëlqime, komenet, e interakcione të panumërta me fansat. Ose, kur i kanë linkat me bit.ly, vendosjani një plus në fund edhe matjani klikimet. Krahasoni me të kalumen. Puna është jo mirë, për faqet. 

Me folë realisht, shpresat që situata ka me u përmirësu në këtë aspekt, janë shumë të vogla. Nëse don me depërtu shpejt e fuqishëm, duhesh me investu shuma të mëdha parash. Vazhdimisht.

Kjo për faktin se Facebook e ka në strategjinë e vet afatgjate që me mbrojtë news feed-in, hapsirën ku neve na shfaqen postimet, në periudha afatgjate. Pra, mos me e irritu përdoruesin që me ju shfaqë gjithçka, Facebook po donë me filtru sa ma shumë këtë hapsirë. Mirëpo, në periudhë afatshkurtër, kjo gjë po ka shumë efekte negative dhe reagime të panumërta. Jo pak njerëz janë zotu se jonë tu e braktisë, ose dojnë me braktisë së shpejti këtë rrjet social.

Nejse. Prej përvojës personale, duke qenë se po vazhdoj aktivisht me u marrë me fanpage edhe me gjeneru reach organik e trafik në jo pak projekte, mundem me konkludu se përmbajtja që i ofron lexuesit mbetet primare. 

Krejt forja është te suksesi që e arrin me të parët qe ke kontakt.

Po e marrim se e ke në pronësi një faqe me 15,000 pëlqime, e për çdo postim që e bën reachi "normal" që e merr, është 300-400. Këta 300-400 po i quajmë "persona startues". Esenca e përmbajtjes është, se a ke arritë që me ata 300-400 persona me kriju interakcion.

Sa ke arritë që personat startues me i bë me kliku "Like", "Share", ose me komentu. Ose edhe me kliku linkun.

Nëse ke arritë që me tërheq vëmendjen e kësaj mase, Facebook detyrohet me shfaqë postimin tek më shumë persona. "Nuk ka qare", për shkak se përmbajtja jote ka arritë me tërhek vëmendjen e shumicës së atyre që e kanë pa postimin.

Ideja ime në këtë rast është që mos me anku, por me eksperimentu. Jo me postu çka ti mendon se është interesant, por atë që e tërheq lexuesin. Jo gjithmonë me qenë serioz me të edhe me kërku që ai me kliku në link. Jepi ni arsye. Jepi diçka në këmbim. Kërko nga ai që me qenë aktiv në faqe, po në këmbim ofroi përmbajtje që ai ka nevojë me pa prej teje.

Eksperimento. Vet fakti që Facebook po filtron përmbajtje, duhet me të gëzu në nifar mase. Personalisht po e marr si sfidë. Kjo sfidë, po më pëlqen shumë. E marr me shumë kënaqësi, për faktin se e di se tash, jo gjithkush ka me mbërri me gjeneru trafik apo përfitime nga Facebooku. Me shpresë, kjo gjë ka me kriju një fushë të re të vendeve të punës edhe në vendin tonë, tu e ditë që tash ka me pasë nevojë për dikë që mirret ekskluzivisht me punën e analizës se si duhet me u sjellë me përcjellësit e faqes..

Mos harroni. "Krejt forja" është tek personat startues. Krijoni interakcion me ta, keni me i vërejt efektet. Suksese me faqen tuaj në Facebook.

Saturday, February 1, 2014

Sa gjëra të mrekullueshme bëjnë njerëzit.. për 5 dollarë!


Ose edhe - sa lehtë mund të fitosh me 5 dollarë!

Fiverr është një shërbim i famshëm, por që nuk është edhe aq i dëgjuar (ndoshta) në Kosovë. Në faqen fiverr njerëzit ofrojnë apo blejnë shërbime nga më të ndryshme për vetëm 5$.

Dhurata, dizajne grafike, video, shaka, marketing, shkrime e shumë gjëra tjera ofrohen në fiverr.

P.sh. për vetëm 5$, një vajzë në bikini do të kërcejë me një shkrim në dorë (sipas kërkesës suaj) dhe me një maskë të kalit në kokë!! Një gjë mjaft e çmendur për shumëkë, por ajo fiton mjaft.

Një tjetër thotë se për vetëm 5$ do të ua plotësojë dëshirën!! Kujdes, ai nuk pranon dëshira të këqija..

Pastaj, mund të ju duhet ndonjë logo për biznesin tuaj, një person ju ofron 3 logo profesionale dhe origjinale, për çmimin që tashmë e kuptuat..

Nëse dëshironi të rendisni faqen tuaj në google, shumë persona ofrojnë shërbime nga më të ndryshme që mund të ju ndihmojnë në këtë aspekt.. Përsëri, për vetëm 5$.

E në fakt, përveç shërbimeve të shumta interesante që mund të i kryeni për 5 dollarë, ju edhe mund të ofroni të tilla. Nëse vlerësoni se keni talent për ndonjë fushë ku mund të i oforni shërbime të shpejta njerëzëve, ju shumë lehtë mund të bëni mijëra euro. Mjafton të jeni kreativ dhe të ofroni gjëra që mund të kryhen lehtë, e akoma të jenë të kërkueshme nga njerëzit.

Ju inkurajoj ta provoni!

Saturday, January 25, 2014

Lajm për pëlqime nga "Gazeta Zëri" apo thjesht ngjarje e koklavitur?

Sqarim: Ky artikull nuk ka për qëllim të sulmojë asnjë palë. Siç kam bërë dhe më parë, edhe në këtë rast blogun po e shfrytëzoj për publikime të ngjarjeve që më kanë ndodhur personalisht e që mendoj se duhet ti ndaj me tjerët. 

Dje isha zgjuar herët dhe po shkoja për në punën e re, në zyret e lajmi.net. I dërrmuar për gjumë dhe në një udhëtim relativisht të gjatë me autobus nga Rahoveci në Prishtinë, "ia dola disi".

Duke ecur rrugës shumë gjëra më silleshin në mendje, e ashtu i hutuar nuk e kisha vëmendjen e asnjë gjëje që po ndodhte rreth meje. Të paktën, jo deri në një moment.

Kur isha rrugës për në punë, përpara syve kisha një pamje të trishtuar që definitivisht më preku: Një burrë, po mbante një flamur (gjysmë i Shqipërisë e gjysmë i Kosovës) e po qëndronte në këmbë para objektit të qeverisë. Poshtë kishte të shtruar disa batanije. Një grua po sillej rreth "vendqëndrimit" të tyre me një fëmijë në dorë, kurse dy fëmijë tjerë po luanin me njëri-tjetrin lojëra të ndryshme.

Familja, siç ua përshkrova

U afrova pak (nuk ndalesha fare gjatë rrugës) dhe e vërejta një letër, të cilën nuk arrita ta lexoja pasi po ngutesha për në punë që të mos vonohesha.  Të paktë ishin ata që interesoheshin për hallin e tyre, e askush nuk ndalej që të i pyeste se çfarë kishin.

E gjithë kjo pamje më trishtoi jashtë mase. Përshtypja e parë që vinte në mendjen time: personi ishte një veteran i luftës dhe i kishte punët shumë keq. Kapa telefonin dhe u mundova të thërras disa nga bordi redaktues i Lajmit, që të dërgonin një gazetar bashkë me kameramanin ose fotoreporterin, në mënyrë që të dëgjonim hallet e tij (pasi dukej se kjo ishte ajo që ai kërkonte), por thirrjet nuk kishin sukses. Personalisht nuk mund të ndalesha e ta pyesja vet për 2 arsye.
  • Puna ime është kryesisht teknike e nuk kam punë në terren;
  • Po vonohesha shumë për punë.
Arrita në zyre dhe aty pash një nga redaktorët dhe një gazetar. Me frymën plot e përshkrova ngjarjen në shpejtësi. Redaktori, menjëherë tentoi të thërriste fotoreporterin, por nuk po kapte çasjen. Unë i thash "nuk kam aparat, por mund të dal dhe të i bëj fotot me telefon". Dukej se kjo ishte zgjidhja më e mirë për momentin.

U nisëm me gazetarin, po shpresoja se do e gjenim aty atë familje pasi doja të dija hallet e tyre dhe e ndieja se kishin nevojë të flisnin me dikë. Kur u afruam, 4 pjestar të policisë së Kosovës iu ishin afruar familjes. Tashmë gjendeshim pranë dhe e përshëndetëm zotëriun me flamur në dorë, i cili akoma po qëndronte në këmbë.

Me tu afruar ai na tha "Thirreni dikë nga KTV apo 21-shi", kurse gazetari ynë i tregoi se ne jemi media dhe duam ta intervistojmë. Ai na pranoi me kënaqësi.

Teksa gazetari filloi ta pyeste, unë fillova të bëja foto. Mbetje të bukës, letra me tekst ku kërkonte bukë, ujë e drejtësi, fëmijët në tokë në atë lagshti.. Të gjitha këto më preknin më shumë.

Njeriu me flamur dhe fëmija i vogël 
Gjëja e parë që filloi të fliste (pas prezantimit ku tregoi se është nga Drenica) personi ishin ankesat ndaj qeverisë (pyetja e gazetarit ishte pse ke dalur këtu). Ai thoshte se qeverisë nuk i intereson fare për popullin, se nuk është e drejtë që dikush të ketë kushte shumë të mira e dikush të mos ketë fare e të tilla. Ne e kuptonim këtë gjë, por donim të dinim konkretisht arsyen e daljes.

Gazetari i lajmit vazhdimisht e pyeste "pse ke dalur këtu" kurse përgjigjet ndryshonin gjithmonë. Njëherë thoshte se ishte i rrezikuar na një person i fshatit që "e kallte edhe bukën" (për këto tha se ka folur me komunën, vet kryeministrin e policinë, por se shumica nga këta qeshnin kur e dëgjonin), njëherë përmendte figura historike si Skëndërbeu e Adem Jashari, njëherë thoshte se policia ia kishte maltretuar motrën.. por, asnjëherë nuk ankohej për kushtet. Madje, gjatë bisedës pranoi se qeveria ia paguan gjithë shpenzimet, se gruaja dhe ai punonin dhe se gjithçka ishte në rregull (që sigurisht, ishte në kundërshtim me përshtypjen që të krijohej nga pamjet e para dhe me atë që ishte shkruar në letër).

Letra me kërkesa
Mbeta i shtangur. Tashmë asgjë nuk po kuptoja. Gazetari e pyeste disa herë "na trego konkretisht pse ke dalur këtu", e përgjigjet vazhdonin të ishin të ndryshme, por një gjë ishte gjithmonë njësoj - asnjëherë nuk ankohej gojarisht për kushtet.

Në fund të bisedës ai tha se "Motrën e kam të sëmurë psiqikisht, vet jam i sëmurë psiqikisht, gruan e kam të sëmurë psiqikisht. I gjithë fshati duhet të dërgohet në Lipjan në shtëpinë e të çmendurve."

Foto e Familjes
Duke parë gjendjen se nuk kishin dalur për atë që mendohej, se nuk kishte ankesa konkrete, se nuk ankohej për kushtet (madje pranonte se i kishte shumë mirë), se personi në fjalë binte gjithmonë në kundërshtim me veten, gazetari i tha "faleminderit shumë për që u shprehët për ne" dhe më ftoi të largoheshim.

Rrugës konstatuam se ai person me gjasë kishte probleme psiqike (siç edhe e kishte pranuar vet) dhe se nuk mund të bënim asgjë. I treguam redaktorit gjithë rrjedhën e ngjarjeve dhe bisedën (të cilën sigurisht, e kemi regjistruar) dhe ai u pajtua me ne. Ngjarja mbeti e pabotuar.

Kështu kalova ditën dhe në fund të orarit u nisa për në shtëpi. Ngjarjen tashmë e kisha harruar, për shkak të punëve të shumta.

Kur erdha në shtëpi, ndodhi diçka që më shokoi! Faqja e portalit të Gazetës Zëri në Facebook e kishte postuar linkun e ngjarjes që unë ju përshkrova... Por, në një verzion krejt tjetër!

Lajmi në faqen e gazetës zëri

Ajo që më bëri përshtypje është se Gazeta Zëri i ka postuar vetëm ankesat e personit për kushte personale (lexo artikullin) dhe asgjë nga ato që ai na ka thënë neve (siç e ceka më lart, e kemi të dokumentuar deklaratën e tij).

Postimi deri në momentin që e pash unë kishte 1222 pëlqime (ndër postimet me më së shumti pëlqime në faqen e gazetës zëri), mbi 150 komente dhe mbi 30 shpërndarje/share.

Diçka nuk shkonte. Janë dy opsione të mundshme (nuk po paragjykoj ta kemi parasysh, thjesht dua të shqyrtoj situatën). 1 Zëri nuk e ka botuar gjithë atë që është thënë, por thjesht ka përzgjedhur një pjesë që mund të tërheq vizita, debate, like, komente 2. Personi në fjalë na ka gënjyer ose ne, ose zërin, ose të dyja palët.

Nëse gazeta Zëri e ka bërë atë që e thashë më lartë - atëherë kjo veç se i vërteton kritikat e shumta të drejtuara nga lexues të shumtë për portalet online, të cilat shpesh i devijojnë lajmet, duke krijuar tema që marrin vizita, klikime e komente. Nëse e ka bërë protagonisti kryesor i ngjarjes, duhet të jetë një "thirrje" në ndërgjegjen e shoqërisë, që të vetëdijësohemi dhe t'i trajtojmë seriozisht rastet e njerëzëve që kanë probleme të tilla dhe që prap janë në gjendje të kërkojnë ndihmë.

Tuesday, December 31, 2013

Përmbyllje e vitit 2013 të blogut personal - statistika, komente

Përmbyllje e vitit 2013 të blogut personal - statistika, komente
Mes gjërave të shumta që më kanë ndodhur në vitin 2013, padyshim ishte edhe hapja dhe mirëmbajtja e këtij blogu personal. Blog ku jam përkushtuar shumë dhe me dëshirë të madhe, që të ndaj me të tjerët mendime, ide, këshilla, eksperienca, opinione etj.

Pos kësaj, blogu më ka kryer punë edhe në testim të aftësive në SEO, duke më dhënë kështu hapsira që të punoj në renditje të tij në terma nga më të ndryshmet. 

Kështu, po e bëj një përmbledhje të artikujve të shkruar në blog, duke treguar detaje interesante të artikujve të shkruar, sa është lexuar blogu etj. Gjithashtu, do të ketë edhe disa komente nga disa miq të mi që e vizitojnë blogun, të cilët kanë dhënë opinionin e tyre në lidhje me punën që bëj në këtë blog.

Top 5 artikujt më të lexuar
Artikujt që gjatë kohës prej kur e kam hapur blogun (Mars 2013) janë lexuar më së shumti janë:

Top 5 webfaqet prej të cilave kanë ardhur vizitat
Vizitat e blogut personal më së shumti kanë buruar nga:

1. Facebook
2. Google
3. Twitter
4. Telegrafi
5. Gazeta Express

Top 5 keywords nga kanë ardhur vizitat nga makinat e kërkimit (Kryesisht Google)
Përshkrimi i top 5 fjalëve kyçe nga kanë ardhur vizitat në blog gjatë këtij viti.

1. telegrafi
Që në fillimet e punës në blog kam kërkuar keywords që të e sfidoj veten e të rënditem në google. Kështu, e bëra një artikull me titullin "Telegrafi", në brendësi kam vendosur informacione për paisjen Telegrafi dhe iu përvisha punës, duke u vendosur në pozitën e dytë me këtë term për një kohë të gjatë. Termi "Telegrafi" kërkohet në google mbi 600,000 herë në muaj (përafërsisht). Kjo edhe arsyeton faktin se pse ky term qëndron në pozitën e parë.

2. dardan hasku
Pas termit "telegrafi" vjen menjëherë termi me emrin tim. Në fakt jam befasuar edhe vet se sa kërkonin njerëzit për termin "dardan hasku".

3. uefa champions league 2013
Ngjajshëm si me termin "telegrafi", duke parë potencialin kam punuar edhe në termin "uefa champions league 2013". Përkundër se blogu nuk ka pasur fare lidhje me Ligën e Kampionëve, për më pak se 2 javë kam arritur ta fus në faqe të parë me këtë term. Rezultoi me jo pak vizita.

4. rrjetet sociale ne kosove
Termi që nuk është se ka shumë kërkime, por fakti se blogu është rënditur në pozitën e parë për këtë term ka ndikuar që të jetë në top 5 keywords.

5. informacione per marketingun & informacione mbi marketingun
Artikulli që e bëra si hyrje në Marketing Online ka marrë shumë vizita, e si burim kryesor i kishte makinat e kërkimit.

Top 5 shtetet prej nga kanë ardhur vizitat
1. Kosova
2. Shqipëria
3. Maqedonia
4. Gjermania
5. SHBA

Artikulli që iu kam përkushtuar më së shumti
Padyshim se artikullit të cilit i kam kushtuar më së shumti vëmendje e kohë është "Pyetësor për zgjedhjet në Prishtinë". Kjo për faktin se së pari është dashur të e bëj sondazhin e të e shpërndaj për disa ditë, e pastaj të i mbledh statistikat, të i verifikoj votat 1 nga 1 etj. Por, definitivisht se mundi është shpërblyer - artikulli është më i lexuari në gjithë blogun.

Ngjarja e vitit 
Lindi thjesht si një pyetje dërguar googles, përfundoi në një numër të madh të lajmeve në media në Kosovë, Shqipëri, Rajon e më larg. Bëhet fjalë për përgjigjen e Matt Cutts që më ka dhënë në një pyetje për Shqipërinë. Për më shumë - "Google e do Shqipërinë".. Sa?

Komente
Sot kontaktova për opinionin e disa miqve që njoh e që e kanë vizituar blogun këtë vit, duke kërkuar 2-3 rreshta komente për blogun personal. Ja se çfarë më thanë ata:

E vlersoj shumë faktin që Dardani e ka marrë iniciativën me e hap një blog personal në shqip. Ideja e shprehjes me anë te një faqeje personale në shqip, sjell shumë eksperienca interesante tek shqiptarët. Jam lexues i rregullt i blogut t'Dardanit për shumë arsye, dhe i uroj shumë sukses në të ardhmen.

Një prej gjërave që dallon nje bloger të mirë është përkushtimi dhe vullneti për të trajtuar tema në baza ditore dhe kjo është një prej gjërave më të theksuara që e karakterizon blogun e Dardan Haskut, ku vizitori mund të gjejé vetën në mesin e rreshtave që flasin pér partinë e fortë apo pse Google nuk njeh Kosovën. Dardani shumë shpejt arriti të fuqizojë punën e tij dhe të bëhet një emër i njohur në skenën e blogerëve. Presim sa më shumë blogje edhe në vitin 2014.

Ni blog shume interesant dhe i veqante, edhe pse osht blog personal me menime personale dhe ide origjinale t'dalta prej vet teje, mu mdoket si blog personal i jemi se shum shpesh mdoket si me ma marr iden prej kokes e me shkru ti... n2013-ten u kan fantazi ishalla vazhdon e shkrun hala.

Informimi me më të rejat nga bota teknologjike nga të cilat ka përfituar një publik i gjerë dhe projektet të cilat ke sjell këtë vit tregojnë më së miri për punën tënde të palodhshme dhe kualitetin që vije nga ana juaj, uroj që të vazhdosh këtë ritëm edhe në vitin 2014.

Fjolla:
jam nje lexuese e rregull e blogut te Dardanit dhe cuditerisht asnjehere nuk zgjenjehem. Vertete puna e tije me inspiron edhe une te nderrmarr dicka ne fushen e blogimit. I desheroj shume suksese ne vitet e ardhshme dhe i them qe te vazhdoj me kete tempo.

Ëshë i vetmi blog personal që e vizitoj, më ka pëlqyer pothuajse çdo artikull qe është publikuar nga ana juaj, pasi disa tema qe trajtoni ju nuk trajtohen ne ndonjë portal apo në ndonjë format tjetër online. Suksese edhe në vitet tjera

Është e qartë se blogjet më të mira janë nga njerëzit që kanë një sfond të shkëlqyer në analiza dhe në shkrim. Si një bloger, Dardani ka aftësi adekuate të na sjellë edhe plot një vit tjetër shkrimet me ngjarjet dhe opinionet më të mira.

Vetem deshta me e falenderu Dardanin per punen qe e ka bo ne kete blog personal, e qe na ke sjelle artikuj shume interesant per neve gjate gjithe vitit 2013. Shpresoj qe edhe vitin 2014 te vazhdosh me ritmin e njejte, urime e sukese.

Nëse edhe ju dëshironi të shprehni mendimin tuaj për blog, ju ftoj të komentoni ose të më kontaktoni.

Faleminderit
Faleminderit gjithë juve për gjithçka. Falenderoj ata që vizituan blogun e më përkrahën, e poashtu ata që shprehën opinonet e tyre për blogun. Vlersoj se rezultatet e punës janë përtej pritshmërive dhe shpresoj që viti i ardhshëm të jetë edhe më i mirë se 2013 për Blogun. Urime viti i ri 2014 të gjithëve. Shëndet e fat në jetë për të gjithë juve.

Dardani.

Friday, December 27, 2013

Statusat/Postimet e vitit 2013 në Facebook

Statusat/Postimet e vitit 2013 në Facebook

I inspiruar prej postimit Cicërimat e vitit 2013 nga Denis Avdiu, vendosa edhe une që me i përmbledh disa postime nga njerëz që njoh - këtë herë në Facebook.

P.S. Ka pasë edhe shuuumë postime tjera interesante, por që nuk munda me i publiku për shkak se ata që i kanë postu nuk i kanë bërë publike për të gjithë.
















Nëse mendoni se ka ndonjë postim tjetër që ia vlen me u postu, më kontaktoni.

Tuesday, December 24, 2013

Facebook "njeh" Kosovën, reklamat na knaqën

Targetimi i Kosovës në reklamim
Facebook si duket e ka parë rritjen e madhe të përdorimit të rrjeteve sociale në Kosovë, sidomos 1-2 vitet e fundit, andaj nuk kishte tjetër mundësi pos që të e "njihte" Kosovën si regjion, duke i mundësuar kështu individeve, bizneseve, partive politike, artistëve, politikanëve (etj etj etj) mundësi që të promovojnë produktet e tyre specifikisht tek përdoruesit e Facebookut nga Kosova.

Për të kërkuar opinionin e tij në lidhje me çështjen, kontaktova edhe Çelik Nimanin, menaxher me përvojë dhe gazetar në industrinë e IT-së për më shumë se 7 vite. Ai mes tjerash më tha:
Facebook Ads që së fundi ka përfshi si gjeolokacion për targetim edhe Kosovën, ështe një mundësi shtesë për bizneset e Kosovës që të targetojnë klientët që gjenden në këtë rrjet.
Kjo mundësi tashmë ka filluar të pëdoret mjaft mirë nga përdorues të shumtë të këtij rrjeti social, pasi postime të shumta të etiketuara si "të sponzoriuzuara" nga vet Facebook (sidomos nga politikanët) po shfaqen me të madhe tek përdoruesit Kosovar.

Source: Valon Badivuku | Optimist me përvojë
Tash shtrohet pyetja: ku po i marrin zyrtarët e lartë qeveritar, deputetët, e fytyrat tjera publike paratë për të bërë promovime të tilla? Sa pagoi Kryeministri i Kosovës që të merr mbi 30,000 pëlqime/like për rreth 1 javë? Me çfarë para u paguan ato like?

Këto gjëra janë jo pak të rëndësishme. Madje shumë më të rëndësishme se përdorimi i çdo statusi të një institucioni në Facebook për të u bërë lajm. Në Shqipëri psh., 2 politikanët më të njohur kanë facebook tash e sa kohë, e mediat atje rrallë i bëjnë postimet e tyre lajme. E edhe kur i bëjnë, i citojnë si pjesë e lajmit, e jo të e bëjnë lajm një status të tërë në një rrjet social.
Por nuk po mungojnë investimet as prej politikanëve të cilët në publik pretendojnë rekorde likes a në fakt nëse shikoni më mirë do të shihni se ata paguajnë për marketing në këtë platformë... rasti i fundit Kryeministri i Kosovës, pastaj zv. Kryeministri Bexhet Pacolli, më pas Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, etj. Këto janë përfitime realisht personale pasi që pagesat po shkojnë në llogari personale të personave zyrtarë, kurse nesë nesër ata zëvendësohen atëherë këto shpenzime në marketing do të jenë private dhe jo investime shtetërore që mund të trashëgohen në qeverinë tjetër.
U shpreh Çeliku, shkurtimisht në lidhje me vendimet e qeverisë për investime digjitale në rrjetin që kinse njohu Kosovën.

Një tjetër fakt interesant është se reklamat akoma nuk po targetohen si duhet. P.sh, produkte të femrave mund të targetohen shumë lehtë që të i shfaqen vetëm femrave, produkte për të rinjë mund të i shfaqen vetëm një moshe të caktuar (që ju e specifikoni), mund të kombinohen mosha me gjininë. Mund të reklamoni në bazë të faqeve që personat që ju doni ta shfaqni reklamën e kanë pëlqyer.

Ja një shembull konkret.

Targetimi i audiencës
Në foton më lartë është një targetim konkret i një audience të caktuar. Kështu do e bëja unë nëse do të kisha një faqe për humor/shaka/barcoleta në Shqip. Kjo, për shkakun se - audienca që unë targetoj është Kosovare, mosha ku dua ta shfaq është kryesisht rinia (pasi faqe të tilla vizitohen më shumë nga të rinjët). Mes tjerash, tek "Intereset" apo gjërat që njerëzit pëlqejnë, do të zgjidhja tematika që janë të lidhura ngushtë me humorin, pra direkt tek njerëzit që pëlqejnë tematika të ngjajshme me humorin.

Kjo do të "ngushtonte" pak numrin e njerëzve ku reklama do të shfaqej, por ama do të më ipte mundësi më shumë që reklama të jetë efektive, sepse do të shfaqet tek njerëz që me të vërtetë do të ishin në gjendje të pëlqenin atë që ofroj. Nëse do të e bëja targetimin më të përgjithshëm, atëherë faqja/postimi vërtetë që do të shfaqej tek një grup më i madh i njerëzëve, por nuk do të kishte efekt, pasi që do të injorohej në masë të madhe, duke harxhuar kështu buxhetin që unë kisha në reklamim. Kështu do të duhej të vepronin të gjitha bizneset/individët. Kështu shpresoj se do të veprohet në të ardhmen e afërt.

Pra, për të përmbledhur gjithë atë që u shkrua - Lejimi që Kosova të targetohet si lokacion është hap mjaft i mirë për ata që dëshirojnë të promovojnë personalitetin/produktin/biznesin; kjo gjë iu "shpërblye" Facebookut pasi që kjo mundësi po përdoret mjaft shumë; duhet të qartësohen burimet e të ardhurave të cilat i përdorin fytyrat publike që kanë lidhje direkte/indirekte me taksat tona për të promovuar veten; bizneset/individët duhet të targetojnë më mirë audiencën ku duan ta shfaqin produktin e tyre.