Sunday, January 18, 2015

“Hajt se këta egërsirat e harrojnë”

Seç e kam një bindje shumë të fortë se, në prapaskena, politikuajt që për momentin janë në varësi të plotë nga faktori politik serb, janë duke e etiketuar popullatën e tyre ashtu siç Jabllanoviq i ka quajtur para disa dite, egërsira.

“Shef (një shef i rëndomtë, sepse numri i tyre është shumë i madh), situata po nxehet. Qysh po ia bojmë?”
“Taktikë e njëjtë si gjithmonë bre. Presim.  Dikur mediat lodhen, edhe qata popull që jon tu lu dal me protestu, lodhen dikur. Edhe egërsirat e harrojnë”.
(Pason qeshje kolektive).

Pafytyrësia e liderëve politikë kosovarë, që është e pashoq, shkon aq larg, sa nuk do të befasohesha nëse kjo bisedë më lartë do të dilte të ishte e vërtetë, fjalë për fjalë.

Na trajtojnë si të paditur, me epitete nga më të ndryshmet.

Jabllanoviq nuk është fare më ndryshe se politikuajtë që tash e 16 vite janë pjesë e një sistemi që gjithmonë ka fyer e keqtrajtuar popullatën kosovare.

Shumë nga ju, besoj se e keni akoma memorien e freskët, kur asokohe kryeministri i vendit e quajti një pjesë të popullit që ai përfaqëson “zagarë”.

Besoj se ky shembull është inspirues për Jabllanoviqin dhe serbët, ashtu siç është “inspirues” edhe Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, sa herë që pyeten se pse nuk i respektojnë simbolet shtetërore.

E kjo “rutinë” e liderëve politikë kosovarë, që gjithmonë presin që një temë dikur të “harxhohet” në media dhe populli do ta harrojë, kësaj radhe nuk duket se do të ketë sukses.

Protestat dhe vëmendja e medias nuk po pakësohet, përkundrazi çdo ditë po zgjerohet edhe më shumë.

Nëse udhëheqësit e vendit tonë janë në gjendje që të luajnë me durimin e qytetarëve në këtë rast, siç kanë luajtur edhe në të kaluarën, i sfidoj ta bëjnë këtë gjë.

Fjalët e tyre se “serbët po integrohen”, koalicioni me Listën Serbe është “njohje e Kosovës” e të ngjashme, nuk besohen as nga vet ata.

Ose, fjalët e përfaqësueseve të Listës Serbe nëpër paraqitje publike, ku thonë se qëllimi i tyre i vetëm është që të integrohen dhe të ruajnë përfaqësimin e tyre në Kosovë, janë edhe më qesharake e ofenduese për inteligjencën e popullit.

Mirëpo, nëse rastësisht ka pasur njerëz që kanë qenë aq naiv sa që të besojnë diçka të tillë nga këto që thash më lartë, u bindën shumë me rastin e Trepçës dhe udhëtimin urgjent të ministrave serb në Beograd, ose edhe ma vizitën e fundit të Vuçiqit në Kosovë.

Është koha që populli ynë të mos durojë më fyerje të tilla nga politikuajtë kosovarë, të mos ndalet deri në trajtimin e drejtë nga ta dhe të kërkojë që përgjegjësia e tyre karshi qytetarëve të jetë as më pak e as më shumë se sa i takon një populli normal – njerëzore dhe e drejtë.  

No comments:

Post a Comment