Në këto zgjedhje, arrita të fitoj 54 vota, shumë larg pritshmërive (për të mirë), pasi që isha futur në zgjedhje thjesht për të vazhduar përkrahjen time mbi idenë në të cilën funksiononte Partia e Fortë. Pra, votat ishin absolutisht në plan të fundit.
"Fushata" ime ishte e fokusuar në rrjetet sociale, dilja kohë pas kohe dhe bëja foto ose ide të rastit, me anë të të cilave thumboja politikanët e Kosovës në përgjithësi, për shkak se isha shumë i irrituar me fushatën që bënin ata. Mund të them se mënyra se si u prit fushata nga njerëzit e afërm ishte shumë më mirë se pritshmëritë e mia për këtë gjë.
Gjithsesi, gjëja që dua të veçoj nga kjo fushatë është se arrita që të marr vëmendje të gjërë të shumë portaleve dhe mediave online, krahasuar me shumën modeste që pagova, 5 dollarë (momentalisht rreth 3.7 euro), që ishte edhe buxheti im zgjedhor.
Për 5$ "fitova" më shumë shkrime dhe vëmendje nga mediat online (ndoshta) më shumë se politikanë të shumtë që paguanin shuma të mëdha që të merrnin ndonjë shkrim për fushatën që ata bënin.
E, si e arrita një gjë të tillë?
Së pari, po ua listoj gjërat që mu nevojitën për një gjë të tillë:
- Credit Card me minimum 5$ në të (që të kryhej pagesa për shërbimin);
- Miq të shumtë në Facebook, që të fitoja vëmendjen e duhur nga ndonjë media eventuale.
Kaq thjeshtë? Epo, kaq. Nuk më është dashur asgjë më shumë.
Pasi u sigurova se i kisha në dispozicion gjërat e kërkuara më lart, krijova një përdorues në Fiverr. Shpjegim i shkurtër: Fiverr është një faqe ku njerëz kryejnë shërbime të shumta për 5 dollarë. Për shpjegim më të hollësishëm, e kam një shkrim në blogun tim: Sa gjëra të mrekullueshme bëjnë njerëzit.. për 5 dollarë!
Kështu, hyra në faqe dhe kërkova për njerëz që do të bënin video qesharake për këtë çmim. Duke kërkuar e gjeta Ishanin!
Ishan është një i ri nga Sri Lanka, i cili për 5 dollarë do të bënte një shkrim në trupin e tij (çfarëdo që ju kërkoni) dhe do vallëzonte me të për 31 sekonda. E mrekullueshme, apo jo? Eh, kështu mendova edhe unë.
E bëra porosinë dhe e prita me padurim. Në udhëzimet e porosisë tregohej se ai e kryen shërbimin për dy ditë.
Edhe pse e bëri më vonesë dërgesën, mbeta abolutisht i kënaqur me kryerjen e shërbimit. E shkarkova videon dhe e postova në Facebook.
Menjëherë pas postimit të videos filluan pëlqimet dhe komentet e shumta, dhe këto më tregonin se videoja ka shumë gjasë se do shihet nga ndonjë media online, sepse të tilla gjëra tërheqin klikime edhe për ato.
Dhe, kështu ndodhi! Media e parë që e pa postimin pasi u përhap ishte reporteri, media e cila edhe e bëri para shkrimin, dhe e titulloi "Mbështetje interesante për Partinë e Fortë, nga Sri Lanka - VIDEO", me videon e ngarkuar në youtube.
Menjëherë pas reporterit, artikulli u shpërnda në mediat gjithandej. Zeri, Telegrafi, Gazeta Express, dhe shumë media tjera e morrën këtë shkrim duke e bërë një lajm të bujshëm, duke më sjellur emër ndër "simpatizantët" dhe mbështetësit e Partisë së Fortë.
E gjithë kjo, për vetëm 5 dollarë!
Përndryshe, ky ishte kulmi i "fushatës" sime, duke e kompletuar atë dhe duke më dhënë bindje se bëra mirë që hyra në këtë fushatë.
Jo gjithmonë paraja mund të ketë efektin e saj, nëse ideja nuk është si duhet, andaj ata që aspirojnë që në të ardhmen të mirren me politikë, i propozoj që në vend të shumave të mëdha, të harxhojnë pak mjete financiare e të mendojnë më shumë për ide kreative, pasi që në mediat online dhe në rrjetet sociale ka shumë hapësirë për të depërtuar me investime të vogla, deri sa keni ide të mëdha!
Suksese.
No comments:
Post a Comment