Saturday, January 25, 2014

Lajm për pëlqime nga "Gazeta Zëri" apo thjesht ngjarje e koklavitur?

Sqarim: Ky artikull nuk ka për qëllim të sulmojë asnjë palë. Siç kam bërë dhe më parë, edhe në këtë rast blogun po e shfrytëzoj për publikime të ngjarjeve që më kanë ndodhur personalisht e që mendoj se duhet ti ndaj me tjerët. 

Dje isha zgjuar herët dhe po shkoja për në punën e re, në zyret e lajmi.net. I dërrmuar për gjumë dhe në një udhëtim relativisht të gjatë me autobus nga Rahoveci në Prishtinë, "ia dola disi".

Duke ecur rrugës shumë gjëra më silleshin në mendje, e ashtu i hutuar nuk e kisha vëmendjen e asnjë gjëje që po ndodhte rreth meje. Të paktën, jo deri në një moment.

Kur isha rrugës për në punë, përpara syve kisha një pamje të trishtuar që definitivisht më preku: Një burrë, po mbante një flamur (gjysmë i Shqipërisë e gjysmë i Kosovës) e po qëndronte në këmbë para objektit të qeverisë. Poshtë kishte të shtruar disa batanije. Një grua po sillej rreth "vendqëndrimit" të tyre me një fëmijë në dorë, kurse dy fëmijë tjerë po luanin me njëri-tjetrin lojëra të ndryshme.

Familja, siç ua përshkrova

U afrova pak (nuk ndalesha fare gjatë rrugës) dhe e vërejta një letër, të cilën nuk arrita ta lexoja pasi po ngutesha për në punë që të mos vonohesha.  Të paktë ishin ata që interesoheshin për hallin e tyre, e askush nuk ndalej që të i pyeste se çfarë kishin.

E gjithë kjo pamje më trishtoi jashtë mase. Përshtypja e parë që vinte në mendjen time: personi ishte një veteran i luftës dhe i kishte punët shumë keq. Kapa telefonin dhe u mundova të thërras disa nga bordi redaktues i Lajmit, që të dërgonin një gazetar bashkë me kameramanin ose fotoreporterin, në mënyrë që të dëgjonim hallet e tij (pasi dukej se kjo ishte ajo që ai kërkonte), por thirrjet nuk kishin sukses. Personalisht nuk mund të ndalesha e ta pyesja vet për 2 arsye.
  • Puna ime është kryesisht teknike e nuk kam punë në terren;
  • Po vonohesha shumë për punë.
Arrita në zyre dhe aty pash një nga redaktorët dhe një gazetar. Me frymën plot e përshkrova ngjarjen në shpejtësi. Redaktori, menjëherë tentoi të thërriste fotoreporterin, por nuk po kapte çasjen. Unë i thash "nuk kam aparat, por mund të dal dhe të i bëj fotot me telefon". Dukej se kjo ishte zgjidhja më e mirë për momentin.

U nisëm me gazetarin, po shpresoja se do e gjenim aty atë familje pasi doja të dija hallet e tyre dhe e ndieja se kishin nevojë të flisnin me dikë. Kur u afruam, 4 pjestar të policisë së Kosovës iu ishin afruar familjes. Tashmë gjendeshim pranë dhe e përshëndetëm zotëriun me flamur në dorë, i cili akoma po qëndronte në këmbë.

Me tu afruar ai na tha "Thirreni dikë nga KTV apo 21-shi", kurse gazetari ynë i tregoi se ne jemi media dhe duam ta intervistojmë. Ai na pranoi me kënaqësi.

Teksa gazetari filloi ta pyeste, unë fillova të bëja foto. Mbetje të bukës, letra me tekst ku kërkonte bukë, ujë e drejtësi, fëmijët në tokë në atë lagshti.. Të gjitha këto më preknin më shumë.

Njeriu me flamur dhe fëmija i vogël 
Gjëja e parë që filloi të fliste (pas prezantimit ku tregoi se është nga Drenica) personi ishin ankesat ndaj qeverisë (pyetja e gazetarit ishte pse ke dalur këtu). Ai thoshte se qeverisë nuk i intereson fare për popullin, se nuk është e drejtë që dikush të ketë kushte shumë të mira e dikush të mos ketë fare e të tilla. Ne e kuptonim këtë gjë, por donim të dinim konkretisht arsyen e daljes.

Gazetari i lajmit vazhdimisht e pyeste "pse ke dalur këtu" kurse përgjigjet ndryshonin gjithmonë. Njëherë thoshte se ishte i rrezikuar na një person i fshatit që "e kallte edhe bukën" (për këto tha se ka folur me komunën, vet kryeministrin e policinë, por se shumica nga këta qeshnin kur e dëgjonin), njëherë përmendte figura historike si Skëndërbeu e Adem Jashari, njëherë thoshte se policia ia kishte maltretuar motrën.. por, asnjëherë nuk ankohej për kushtet. Madje, gjatë bisedës pranoi se qeveria ia paguan gjithë shpenzimet, se gruaja dhe ai punonin dhe se gjithçka ishte në rregull (që sigurisht, ishte në kundërshtim me përshtypjen që të krijohej nga pamjet e para dhe me atë që ishte shkruar në letër).

Letra me kërkesa
Mbeta i shtangur. Tashmë asgjë nuk po kuptoja. Gazetari e pyeste disa herë "na trego konkretisht pse ke dalur këtu", e përgjigjet vazhdonin të ishin të ndryshme, por një gjë ishte gjithmonë njësoj - asnjëherë nuk ankohej gojarisht për kushtet.

Në fund të bisedës ai tha se "Motrën e kam të sëmurë psiqikisht, vet jam i sëmurë psiqikisht, gruan e kam të sëmurë psiqikisht. I gjithë fshati duhet të dërgohet në Lipjan në shtëpinë e të çmendurve."

Foto e Familjes
Duke parë gjendjen se nuk kishin dalur për atë që mendohej, se nuk kishte ankesa konkrete, se nuk ankohej për kushtet (madje pranonte se i kishte shumë mirë), se personi në fjalë binte gjithmonë në kundërshtim me veten, gazetari i tha "faleminderit shumë për që u shprehët për ne" dhe më ftoi të largoheshim.

Rrugës konstatuam se ai person me gjasë kishte probleme psiqike (siç edhe e kishte pranuar vet) dhe se nuk mund të bënim asgjë. I treguam redaktorit gjithë rrjedhën e ngjarjeve dhe bisedën (të cilën sigurisht, e kemi regjistruar) dhe ai u pajtua me ne. Ngjarja mbeti e pabotuar.

Kështu kalova ditën dhe në fund të orarit u nisa për në shtëpi. Ngjarjen tashmë e kisha harruar, për shkak të punëve të shumta.

Kur erdha në shtëpi, ndodhi diçka që më shokoi! Faqja e portalit të Gazetës Zëri në Facebook e kishte postuar linkun e ngjarjes që unë ju përshkrova... Por, në një verzion krejt tjetër!

Lajmi në faqen e gazetës zëri

Ajo që më bëri përshtypje është se Gazeta Zëri i ka postuar vetëm ankesat e personit për kushte personale (lexo artikullin) dhe asgjë nga ato që ai na ka thënë neve (siç e ceka më lart, e kemi të dokumentuar deklaratën e tij).

Postimi deri në momentin që e pash unë kishte 1222 pëlqime (ndër postimet me më së shumti pëlqime në faqen e gazetës zëri), mbi 150 komente dhe mbi 30 shpërndarje/share.

Diçka nuk shkonte. Janë dy opsione të mundshme (nuk po paragjykoj ta kemi parasysh, thjesht dua të shqyrtoj situatën). 1 Zëri nuk e ka botuar gjithë atë që është thënë, por thjesht ka përzgjedhur një pjesë që mund të tërheq vizita, debate, like, komente 2. Personi në fjalë na ka gënjyer ose ne, ose zërin, ose të dyja palët.

Nëse gazeta Zëri e ka bërë atë që e thashë më lartë - atëherë kjo veç se i vërteton kritikat e shumta të drejtuara nga lexues të shumtë për portalet online, të cilat shpesh i devijojnë lajmet, duke krijuar tema që marrin vizita, klikime e komente. Nëse e ka bërë protagonisti kryesor i ngjarjes, duhet të jetë një "thirrje" në ndërgjegjen e shoqërisë, që të vetëdijësohemi dhe t'i trajtojmë seriozisht rastet e njerëzëve që kanë probleme të tilla dhe që prap janë në gjendje të kërkojnë ndihmë.

No comments:

Post a Comment