Wednesday, July 17, 2013

A është populli ynë i gatshëm për "Partinë e Fortë"?

Partia e Fortë - Logo (Marrë nga Faqja Zyrtare e Partisë së Fortë)
Kur e kam parë për herë të parë në facebook faqen e Partisë së Fortë, e kur kam dëgjuar për të, mu duk si një ide shumë e këndshme dhe interesante. Personalisht kam punuar në disa webfaqe që kanë postuar lajme me tematikë të ngjajshme (ironi e satirë si trillime.com apo llafet.com), andaj pak a shumë isha i informuar me këtë fushë.

Megjithatë, për ata që nuk e dinë akoma, Partia e Fortë është një parti e re, e regjistruar vonë edhe në KQZ, e cila i ka përmbledhur të gjitha ngjarjet "e këqija" që e kanë përcjellur Kosovën e pasluftës, të ndikuar nga politika, dhe i ka kthyer në "gjëra shumë të mira". Pra nga kjo kuptojmë se kjo Parti flet, vepron gjithmonë me Ironi e Satirë.

Që nga deklaratat e para që kjo parti i publikonte në faqen e Facebookut të cilën e përcjellja shumë, gjithashtu edhe nga mënyra e veprimit (psh çdo antar i partisë do të jetë nënkryetar), e pashë qartë qëllimin e tyre. Ata do të ishin aktivistët e vërtetë të së vërtetës, duke vepruar në mënyrën e tyre.

Pas regjistrimit zyrtar në Komisionin Qëndror Zgjedhor, kjo parti bëri bujë të madhe, pasi media të shumta me kolumna të tyre, intervista, debate, kanë filluar të i japin hapsirë kësaj Partie, duke i dhënë mundësinë gjithashtu të tjerëve të shohin reagimet e qytetarëve për këtë çështje.

Edhe unë mezi i prisja intervistat, bisedat, debatet, pasi që doja të shihja se çfarë deklarata do jepnin zyrtarët e partisë, përkatësisht kryetari lexhendar (ashtu quhet, me XH të fortë, si vet Partia) Visar Arifaj, karshi mediave. Kisha njëfarë droje se mos ndoshta nuk do të dilnin ashtu siç paraqiteshin, duke pretenduar kështu të i shpjegojnë popullatës formën e tyre të veprimit me seriozitet, po kjo frikë e imja u largua plotësisht që nga Intervistat e para të realizuara me të.

Ai po fliste hapur se si do të e sillte familjen e tij së pari në pushtet, se si do të shikonte që ta pasuronte e zhvillonte familjen e tij dhe vendlindjen e tij e më pas të tjerët, se si do i fitonte zgjedhjet me 130% të votave, se si do të bisedonte me Sërbinë për çështje "teknike" dhe "të lehta" siç janë - kufijtë shtetëror, data e zgjedhjeve, etj.

Pra gjithë rëndësia që ditëve të fundit media po i jep kësaj Partie kohëve të fundit, ka ndikuar që kjo parti të bëj bujë në gjithë Kosovën, madje për vetëm 2 ditë, pasi kishte një debat me kryetarin Lexhendar dhe antarët tjerë të kryesisë në Rubikon, kjo parti e mori 2fishin e like-ve në facebook!

Megjithatë, duke ditur situatën aktuale të Kosovës, dhe nivelin e bukur një pjese të madhe të popullit tonë, që shpesh janë në gjendje të jenë kritikë shumë të fortë (siç është edhe në programin e Partisë që ne të shesim mend në vende tjera pasi kemi shumë), jam i sigurt se kjo Parti i priti edhe një pjesë bukur të madhe të reagimeve dhe kritikave të ashpra të drejtuar ndaj Partisë.

Një nga reagimet në facebook, dhe kundërpërgjigja e Partisë së Fortë
Unë po shpresoja shumë se me anë të kësaj Partie, njerëzit e vendit tonë do të tentonin që të shiteshin sa më pak "moralista", siç e kanë zakon (duke komentuar nëpër portale apo bërë statusa nëpër rrjete sociale për të marrë sa më shumë pëlqime/like e reagime nga të tjerët), dhe të e shikonin qëllimin e vërtetë të Partisë, e të vetëdijësoheshin sa më shumë për gjendjen aktuale të vendit tonë, sepse, të gjithë ato për të cilat Partia e fortë flet, tash e pothuajse 14 vite, partitë tjera në vendin tonë po i bëjnë me vepra.

Përsëri, reagime negative ka pasur, edhe shumë. Disa madje kishin shkuar aq larg, sa që nuk ishin në gjendje që të reflektonin 1 minutë, me vetëm pak vëmendje, dhe të e kuptonin që kjo Parti po vepron me Ironi ndaj ngjarjeve aktuale. Këta persona madje i kanë marrë aq seriozisht, saqë postonin reagime nga më qesharaket nëpër wallin e fotot e Partisë në rrjetet sociale, duke e akuzuar për deklaratat që po bënte kjo Parti. Këta persona sinqerisht kanë nevojë për konsultime të mëtutjeshme me psikolog.

Askush sikur Partia e Fortë nuk ka mundur që më së miri të e pasqyrojë gjendjen e mjerueshme nëpër të cilën po kalon Kosova, dhe politikbërjen në nivelet më të ulta në botë nga udhëheqësit e këtij vendi. Njëherë e mirë duhet të mësohemi që të i pranojmë këto gjëra, dhe të mendojmë pak më larg qëllimin e tyre, e jo menjëherë të dalim me reagime, e të shesim moral, duke shpresuar se do të marim disa like për statuset e gjata që do i postonim në facebook kundër ngjarjeve të tilla.

No comments:

Post a Comment